Liverpool ka triumfuar në “Tottenham Hotspur Stadium” me rezultatin 3-1 ndaj Tottenhamit, në kuadër të xhiros së 20-të të Premierligës.
Golat për “The Reds” i shënuan, Firmino (45+2), Alexander Arnold (47′) dhe Sadio Mane (65′), për të fituar me rezultatin 3-1 në Londër.
Pas ndeshjes, menaxheri i Liverpool, Jurgen Klopp, duke folur për “BT SPORT”, u shpreh i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij, ai konfirmoi edhe lëndimin e Joel Matip, ku tha se mund të jetë më serioz sesa mendohej fillimisht.
“Ne i shënuam golat në momentet e duhura, gola të mrekullueshëm. Shënuan futbollistët e duhur. E gjitha shkoi mirë, përveç padyshim lëndimit të Joel Matip”, tha ai.
“Ajo që pamë sot nuk kishte të bënte me formën, është ajo çka jemi ne. Këta jemi ne, pjesa e dytë veçanërisht, ishim të mirë. Ishte një luftë masive dhe futboll i mrekullueshëm mbi të gjitha”, shtoi ai.
“Në fazën ofanzive, mënyra se si kemi luajtur, mendova se e përballuam vërtetë mirë formacionin e tyre. Luajtëm në krah, luajtëm në mes, kështu që ne ishim shpesh brenda dhe rreth 16 metërshit, gjë që është vërtet e rëndësishme. Kundërsulmet ishin me të vërtetë të mira. Vija e fundit mbrohej vërtet mirë, presing mjaft i lartë por jo tmerrësisht i lartë”, përfundoi Jurgen Klopp.