Ferizaj me një mijë e një probleme. Nuk është hera e parë që ata zhyten në telashe të thella.
Klub që para dy viteve pothuajse bëri dasmë për privatizimin e klubit. Ishte korriku i nxehtë dhe i krenarisë për shumë zyrtarë të klubit dhe të Kuvendit Komunal, pa iu shkuar mendja se kjo punë nuk është gjë, pos një krenari e shkurtër.
Ferizaj është pjesë e Ligës së parë të Kosovës, grupi B dhe tani rreziku që të tërhiqen nga gara. Kryesia e tifozëve “Ujqit” reagojnë ashpër.
“Ku mbeti FC Ferizaj?
Klubi ynë i zemrës që shumë vite është në gjendje shumë të rëndë, dhe asnjë nuk e merr mundin të interesohet për gjendjen e klubit.
Tani klubi është pa kryetar e pa aksionar dhe është në mëshirë të askujt! Asnjë nuk kujdeset për gjendjen e klubit, asnjë nuk merr ndonjë iniciativë për t’i ndihmuar FC Ferizajn.
Ku mbetën aksionarët e ‘famshëm’ anglez, ku mbetën donatorët e ‘fuqishëm’ të qytetit tonë, ku është komuna jonë!
Ne si tifogrup dëshirojmë një përgjigje nga kryetari i klubit, aksionarët ose kryetari i komunës për të na treguar se çka po ndodhë me klubin tonë, dhe çfarë plane kanë më tutje!
Qyteti ynë është ndër më të fuqishmit në Kosovë, dhe nuk e meriton të jetë pa një klub futbolli të organizuar, këtë gjendje të klubit më së rëndi e përjetojnë tifozët dhe qytetarët.
Ju njoftojmë se në ditët në vazhdim do të thirrim një protestë të madhe, ku ftojmë gjithë qytetin të na bashkohet”, reagojnë kryesia e ‘Ujqve’.