Rivaldo: Barcelona gaboi që nuk e shiti Messin

Futboll

Rivaldo: Barcelona gaboi që nuk e shiti Messin

Më: 29 janar 2021 Në ora: 21:31
Lionel Messi

Rivaldo kritikon ashpër Barcelonën për mënyrën sesi e ka menaxhuar situatën e Lionel Messit.

Ish-futbollisti “blaugrana”, teksa po fliste për situatën e rëndë ekonomike që po kalon Barça, u shpreh se vendimi për ta mbajtur edhe një vit Messin e pastaj për ta lënë të largohej si lojtar i lirë ishte i gabuar.

Nga një këndvështrim ekonomik, ai beson se shitja e 6 herë fituesit të Topit të Artë do të shmangte krizën ekonomike.

Ai akuzon bordin e mëparshëm se nuk ka reaguar kur futbollisti kishte ende një kontratë afatgjatë dhe, për ta ilustruar këtë, ai përdor rastin e Cristiano Ronaldos me Madridin.

“Bordi i mëparshëm bëri një gabim duke mos e shitur Messin kur ai ende kishte një kontratë. Mund të bënin diçka të ngjashme me atë që bëri Real Madridi me Cristiano Ronaldon, kur e shiti dhe përfitoi 100 milionë euro.”

Rivaldo mendon se presidenti që do të zgjidhet do ta ketë të vështirë ta bind “yllin” argjentinas të rinovojë kontratën.

“Tani largimi i Messi duket i pashmangshëm. Është shumë e dhimbshme të shohësh se si një lojtar kaq i talentuar do të largohet nga Barcelona falas, kur klubi po kalon përmes shumë probleme ekonomike”.

Borxhi i Barcelonës shkon deri në 1.2 miliardë euro, ndërsa shumica prej tyre duhet të paguhen brenda një periudhe të shkurtër kohore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat