Sulmuesi i Kosovës dhe Lacios, Vedat Muriqi po kalon momentin më të mirë që kur është transferuar në Itali. 26-vjeçari ka shkëlqyer në 4 ditët e fundit duke shënuar dy gola ndaj Atalantës (Kupë e Italisë dhe Seria A).
Ndryshe nga sfida e kaluar ku ishte titullar, Muriqit i mjaftoi vetëm një minutë lojë për të ndëshkuar bergameskët.
Për paraqitjen në 10 minuta në fushë, ish-futbollisti i Fenerbahçes u vlerësua me notën 7.4 nga “Sofa Score”. Goli i tij i dha qetësinë Lacios duke siguruar 3 pikë të rëndësishme në kampionat.
Me dy golat e tij të parë me fanelën bardhekaltër, Muriqi ka arritur të përmbysë kritikat kundër tij.