U mbyll pa fitues supersfida e javës së 17-të të Kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Vllaznisë. Në Elbasan Arena u zhvillua një ndeshje emocionuese por terreni i rënduar dhe fati bënë që kjo sfidë të mbyllej pa gola.
E nisi më mirë Vllaznia që humbi një shans të mirë që në fillim me Ardit Krymin por Alban Hoxha u shfaq në lartësinë e duhur, ashtu si edhe dy minuta më vonë në të 7-ën kur ndali goditjen e Demir Imerit. Në të 19-ën Bitri i hoqi mundësinë e shënimit sulmuesit të shkodranëve Dilaver. Pas minutës së 30-të Partizani filloi të shikonte më shumë nga porta e shkodranëve por pjesa e parë nuk solli më asgjë të rrezikshme.
Në fraksionin e dytë të lojës të kuqtë e Dajës të cilët e donin më shumë se Vllaznia fitoren rritën presionin. Në minutën e 60-të gjyqtari Hamiti ndëshkoi me karton të kuq Krymin dhe Bitrin pas një përplasjeje që patën brenda zone, përpara ekzekutimit të një goditjeje këndi. Në të 72-ën rasti më i mirë për Partizanin deri në ato momente me Zogovic që bëri një ndërhyrje vendimtare ndaj goditjes së Esat Malës.
Në minutat e fundit rresht e shiut u shtuan dhe terreni u rëndua akoma edhe më shumë, duke i ardhur në ndihmë Vllaznisë dhe portierit Zogovic me baltën që ndali dy goditje të Partizanit që po shkonin drejt rrjetës. 0-0 në fund dhe nga një pikë për të dyja skuadrat që u bënë qull për ta marrë atë. Pas këtij barazimi renditja mbeti e pandryshuar me Vllazninë që kryeson kampionatin me 37 pikë, 9 më shumë se Partizani i vendit të dytë.