David Alaba është afër të largohet nga Bayern Munich.
Ishte vet Shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge i cili kishte deklaruar që kërkesat e Alabas për kontratën e re nuk do të përmbushen nga ana e “Bavarezëve”.
Pas këtij lajmi, Real Madridi u bë emri më i përfolur si destinacioni i mbrojtësit austriak, madje si lojtar i lirë pasi që kontrata e 28 vjeçarit përfundon në qershor.
Tani, për situatën e Alabas, ka folur edhe presidenti i Bayern Munich, Herbert Hainer.
I pyetur nëse ai kishte folur me mbrojtësin austriak, Hainer pohoi se kishte pasur kontakt me Alabën.
“Unë e përgëzova atë me anë të e-mail-it që u shpall futbollisti austriak i vitit. Kam marrë një përgjigje nga ai pas vetëm 15 minutash”, tha ai.
“Ai ishte i lumtur për çmimin e fituar, por ne nuk flasim më për kontratën e tij”, shtoi ai.
“Alaba është në gjendje të mirë. Ne si klub duhet të merremi me këso lloj situatash në një mënyrë profesionale”, tha Hainer.
“Si ai ashtu edhe agjenti i tij (Pini Zahavi) kishin idetë e tyre rreth strukturës financiare të kontratës së tij të re. Gjë që është krejtësisht e ligjshme. Nëse ai do të shkojë në Madrid? Me sa di unë, kjo nuk është bërë ende”, përfundoi Herbert Hainer.