Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, me disa vendime

Futboll

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, me disa vendime

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 15:28
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, me disa vendime

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin  e Kosovës. KE analizoi përgatitjet për fillimin e stinorit pranveror dhe konstatoi se organet relevante të FFK-së kanë kryer dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin sa më të mirë të garave. Gjyqtarët i kanë mbajtur testet e nevojshme dhe kanë treguar përgatitje shumë të mira, duke dëshmuar gatishmëri për fillimin e garave.

Po ashtu edhe klubet i kanë kryer përgatitjet e tyre, sikur edhe kanë bërë transferimet sipas nevojave të tyre. Kështu që, KE vlerëson se çdo gjë është e gatshme për fillimin e garave të stinorit pranveror dhe gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe masat e Udhëzimit të IKSHP-s për Covid 19.

KE do të vazhdojë përpjekjet dhe përgatitjet që sa më parë të instalojë edhe sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe  në mbarëvajtjen e garave.

KE gjithashtu do t’i mbështesë klubet në pikëpamje financiare brenda mundësive të lejuara.

KE shqyrtoi dhe miratoi edhe Memorandumin e Bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Turqisë, si shumë të dobishëm në të gjitha fushat e  në veçanti  në përkrahje të infrastrukturës, organizimin e kampeve për të gjitha ekipet kombëtare si dhe për instalimin e sistemit VAR.

KE diskutoi edhe për zhvillimin e të gjitha ekipeve kombëtare në këtë kohë kur ka reflektuar edhe pandemia Covid 19.

KE shqyrtoi edhe Ankesat  dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat