Trajneri I Romës Paulo Fonseca dhe sulmuesi boshnjak Edin Dzeko bënë paqen e shumëpritur ditën e djeshme, me futbollistin që kërkoi ndjesë dhe mori miratimin për t’iu bashkuar ekipit në stërvitje.
Të dy patën përplasje pas ndeshjes me Spezian, ku verdhekuqtë u eliminuan nga Kupa e Italisë dhe më pas Fonseca përjashtoi nga grupi sulmuesin boshnjak, por pasi nuk gjeti një ekip tjetër për t’u transferuar në Janar, Dzeko u detyrua të bëjë një hap pas dhe të ndreqë marrëdhëniet me trajnerin, teksa tani vijon përgatitjet për ndeshjen e fundjavës me Juventusin.
Këtë fakt e konfirmoi edhe drejtori sportiv i Romës, Tiago Pinto, i cili në një intervistë të dhënë për mediat italiane deklaroi se mes palëve është vendosur paqja, teksa konfirmoi se lideri i ekipit mbetet Fonseca dhe se Dzeko nuk do të mbajë më shiritin e kapitenit në krah.
“Çështja mes Dzekos dhe Fonsecës u zgjidh ashtu si duhej, brenda familjes dhe tani të dy po punojnë për të mirën e ekipit. Fonseca është lideri ynë dhe do të jetë edhe në të ardhmen afatmesme. Sa i përket Dzekos, nuk do të jetë më kapiten i Romës, pasi disiplina është një element shumë i rëndësishëm për klubin tonë. Të gjithë në klub mbështesin Pellegrinin, që është shumë i lidhur me ngjyrat e skuadrës dhe përfaqëson më së miri atë, pasi është i ri, i fortë dhe me të ardhme. Së shpejti do të flasim edhe për rinovimin e kontratës me të”, u shpreh Pinto.
Më pas drejtori sportiv i verdhekuqve mohoi zërat se ka takuar Massimiliano Allegrin për t’i ofruar pankinën e Romës dhe komentoi edhe merkaton e kryer nga klubi kryeqytetas gjatë muajit janar.
“Nuk e kam takuar asnjëherë Allegrin, pasi si unë, ashtu edhe Friedkin mbështesim fort Fonsecën, duke besuar në aftësitë e tij. Në merkato kemi marrë El Sharawi-n dhe Reynolds dhe jam i kënaqur, por nuk bëmë mirë sa u përket largimeve. Kjo pasi disa lojtarë tani do të luajnë më pak dhe ndonëse doja t’ua plotësoja dëshirën për t’i larguar, nuk ia dolëm”, deklaroi portugezi.