Pa donatorët dhe veprimtarët sportivë, zor që do të mbijetonte sporti në vitet e 90-ta.
Të gjithë u angazhuan si ushtri kush më shumë e kush me pak për të mbajtur gjallë sportin dhe iu kundërvunë fuqishëm agresorit serb.
Kujtim Lleshi i takon Gjeneratës së Republikës. Ai, në vitet e 90-ta kontribuoi shumë për futbollin, ishte donator kryesor i KF Vëllaznimit nga Gjakova, që nga viti 1995 e deri në vitin 2001.
Që nga viti 1995 e merr edhe pozitën e kryetarit të klubit me renome Vëllaznimi, duke zëvendësuar kontribuesin e madh Bajram Bardhi.
Lleshi nuk kurseu asnjë markë në vitet e 90-ta, sakrifikoi shumëçka për djelmoshat që luanin në fushat e futbollit, si në Novosellë, Raushiq, Dushanovë, Studençan, Dumnicë, Llukar, Sadovinë të Jerlive, Hogosht, Malishevë të Gjilanit, Varosh, Flamurtar të Prishtinës, 2 Korrik të Prishtinës etj.
Lleshi, ndryshe ka qenë futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës (gjatë vjeshtës së vitit 1986, por u largua për shkak të trajnerit famëkeq Millovan Gjoriq) dhe ishte lojtar shumëvjeçar i Vëllaznimit, ndër shënuesit më të spikatur të asaj kohe.
Lleshi është emër i njohur jo vetëm në futboll, një personalitet i rrallë, i fjalës dhe sot ndihet krenar që dha kontribut të madh financiar për të mbajtur gjallë futbollin në vitet më të rënda.
Lleshi asnjëherë nuk u ndal përkundër kërcënimeve nga sigurimi shtetëror serb. Lleshi, si mijëra sportistë të tjerë, ishte i vendosur deri në pikën e fundit, i vdekur po por të dorëzuar kurrë para armikut shekullor, Serbisë.
Me mijëra sportistë i rezistuan fuqishëm regjimit serb, duke i zhvilluar garat në kuadër të Republikës së Kosovës.