Familja Domi është e njohur jo vetëm në Gjakovë por në tërë Kosovën dhe më gjerë.
Familje sportistësh, që i dha shumë futbollit dhe po ashtu kontribuan edhe në çështje kombëtare në vitet më të vështira.
Vëllezërit Ibrahim dhe Mustafa Domi, krahas që kontribuan në fushën e gjelbër, ata dhanë kontribut edhe në restorantin “Faton” emrin e të cilin e mbante vëllau - futbollisti i ndjerë Faton Domi (ish lojtar i gjeneratës së artë të Prishtinës së kapitenit Fadil Vokrri, dhe Vëllaznimit (me 22 nëntor të vitit 1987, humbi jetën me Favzi Ramën pas një aksidentit tragjik në Zllakuçan).
Restoranti i vëllezërve Domi në Gjakovë, ishte çerdhe e sportit dhe e degës së LDK-së në Gjakovë, ku aty u mbajtën të gjitha mbledhjet e manifestimet e njeherit u zgjodh edhe sportisti i vitit prej vitit 1992 e deri në vitin 1998.
Vlen të përmendet se vazhdimisht ish futbollistët, vëllezërit Ibrahim e Mustafa Domi, bënin roje deri sa u kryenin manifestimet.
Ata u ballafaquan me sfidat të ndryshme, kërcënime të llojllojshme nga regjimi serb, por asnjëherë nuk u zmbrapsen por dhanë gjithçka për shtetin e Kosovës.