Klaudio Lotito ka vendosur të hapë portofolin, diçka e rrallë për një president i cili në Serinë A vlerësohet si më kursimatari. Presidenti ka vendosur superpremio për futbollistët e Lacios, por sigurisht, nuk do të jetë aspak e thjeshtë që ata të fitojnë shumat që ai ka vendosur për lojtarët në rast suksesi.
Ëndrra e madhe e Lacios është gjithmonë titulli kampion, me Lotiton i cili beson se ka një skuadër që mund të synojë këtë objektiv, edhe pse nis sezonin në mënyrën më të keqe të mundshme dhe aktualisht është 9 pikë larg Milanit kryesues.
Në një mbledhje me skuadrën, Lotito u ka premtuar lojarëve nga një bonus prej 400 mijë eurosh nëse në fund të sezonit do të jenë ata që do të ngrenë lart trofeun e Serisë A. një premio e cila është relativisht e lartë po të merren në konsideratë shpenzimet e kufizuara që bën Lacio zakonisht.
Por nuk është kjo premio e vetme që ka premtuar Lotito. Presidenti i bardhekaltërve, dje i ka bërë të qartë ekipit se kishte gati një bonus prej 3 milionë eurosh që lojtarët mund të ndanin me njëri-tjetrin nëse do të realizonin një objektiv prestigjioz.
Kjo shumë do t’u paguhej nëse ata do të arrinin të eliminonin Bajern Mynih në Ligën e Kampioneve, një arritje që sigurisht do të sillte prestigj e të ardhura shumë më të mëdha se shifra që ka premtuar presidenti për futbollistët.