Ajax lë jashtë listës

Futboll

Ajax lë jashtë listës

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 11:48
Ajax lë jashtë listës

Ajax ka konfirmuar se aksidentalisht kanë lënë jashtë skuadrës së federuar në UEFA për Ligën e Europës blerjen rekord të klubit, Sebastien Haller. Një gafë procedurale, që i ka lënë pa fjalë të gjithë. Haller u mor nga West Ham muajin e kaluar. Sulmuesi u bashkua me gjigandët e “Eredivisie” për 22.5 milionë €.

Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë e ka filluar mjaft mirë tek Ajax, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë katër asiste në gjashtë paraqitje, deri më tani. Por, duket se 26-vjeçari është në rrezik të mos luajë me skuadrën e tij të re në garën europiane këtë sezon. Vetë klubi e konfirmon gabimin në një deklaratë për AD.

“Ai me të vërtetë nuk është në listë, po përpiqemi të zbulojmë se çfarë nuk shkoi mirë, – tha zëdhënësi i Ajax, Miel Brinkhuis. – Kemi kontaktuar KNVB dhe UEFA”. 

Ajax do të ndeshet me Lille më vonë, këtë muaj, në 1/16 finale të Ligës së Europës, me ndeshjen e parë të caktuar për më 18 shkurt, në Francë. Haller të paktën do të jetë në gjendje të vazhdojë të përfaqësojë Ajax në “Eredivisie”, ku ka krijuar një epërsi prej 7 pikësh në krye të tabelës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat