Sot mendimet tona janë me Manchester United dhe të gjithë të prekurit nga katastrofa ajrore e Mynihut. 63 vite ikën, por ajo tragjedi që preku futbollin nuk harrohet kurrë.
Ndodhia – Pasditen e 6 shkurtit 1958, ndodhi fatkeqësia në aeroportin e vjetër të Mynihut, teksa aeroplani i skuadrës së Manchester United po provonte për të tretën herë të ngrihej në ajër mes borës së madhe. Avioni shkatërroi një gardh rrethues, u përplas me një shtëpi dhe shpërtheu në zjarr. Ai kishte ndaluar në Mynih për t’u mbushur me karburant, pasi “Djajtë e Kuq” kishin eliminuar Yllin e Kuq të Beogradit nga Kupa e Europës, shkruan telesport.
Katastrofa iu mori jetën shumë prej lojtarëve të ashtuquajtur “Busby Babes”. Por, ajo ndikoi gjithashtu te legjenda, sepse e ktheu Manchester United në klubin më të njohur në botë.
Nga 44 njerëzit në bordin e avionit, 23 prej tyre humbën jetën. Tetë ishin futbollistë, tetë të tjerë gazetarë. Një nga legjendat e “Old Trafford”, ende gjallë nga pjesëtarët e atij aksidenti, është Bobby Charlton (83 vjeç). Ai mbijetoi, pasi ishte portieri Gregg që e nxori nga avioni i shkatërruar. Punëtorët e klinikës pranë vendngjarjes, nën udhëheqjen e kirurgut Georg Maurer, i shpëtuan jetën trajnerit Matt Busby, megjithëse nuk kishte shumë shanse.
Duncan Edwards vdiq 15 ditë pas aksidentit, në spital. Ai ishte 21 vjeç, lojtari që Bobby Charlton do ta merrte me vete të parin në luftë. Duncan kishte trupin e një kovaçi, por lëvizte në fushë si një kërcimtar. Jeta e tij u shua pas 177 ndeshjeve tek Manchester United, dy titujve kampion dhe 18 ndeshjeve me kombëtaren e Anglisë.
Trajneri Busby mbijetoi dhe e mori veten. Ai e rindërtoi nga e para Manchester United. Dhjetë vite më pas, skuadra fitoi Kupën e Europës (sot, Champions). Nga tragjedia lindi një triumf. Në vitin 1958, përpara se të kishte televizor në çdo shtëpi, lajmi jepej nëpër kinema. Pamjet ishin shokuese. Matt Busby ishte aq i sëmurë, sa mori dy herë medikamente, që normalisht jepen për njerëzit pranë vdekjes.
Kur e mori veten, pyeste guruan e tij se çfarë kishte ndodhur. “Ajo nuk thoshte asgjë. Atëherë fillova t’i merrja me radhë emrat. Ajo nuk fliste dhe as nuk më shihte në sy, vetëm tundte kokën. I vdekur…i vdekur…i vdekur”, – rikujtonte Busby.
Trajneri ia ngarkoi vetes fajin, pasi ai kishte urdhëruar nisjen për të tretën herë të avionit, ngaqë donte që skuadra të arrinte në kohë në Angli. Ai e mori me vete këtë merak të madh në varr, pasi riktheu në majë ekipin dhe legjendën e Manchester United.