Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta në moshën 63-vjeçare, të ikonës së klubit të Skënderbeut, Milutin Kërçiç.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, kreu i shtetit shkruan se Kërçiçi do të kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare.
“Model i lojtarit korrekt në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë”, shkruan ndër të tjera presidenti.
POSTIMI I PLOTË I ILIR METËS:
Mësova me hidhërim lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej legjendave të “Skënderbeut” dhe futbollit shqiptar, Milutin Kërçiç, idhullin e shumë fëmijëve korçarë të viteve ’70-’80, të vlerësuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm nga të gjithë sportdashësit dhe ne, që patëm fatin ta shihnim në fushën e blertë.
Model i lojtarit korrekt në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë, Milutin Kërçiç do kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare, që përfaqësonte. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, kolegëve dhe të gjithëve sportdashësve për këtë humbje të pazëvendësueshme.