Solskjaer në provë deri në fund të sezonit

Futboll

Solskjaer në provë deri në fund të sezonit

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 15:52
Solskjaer në provë deri në fund të sezonit

Drejtuesit e Manchester United do të presin fundin e sezonit për të vendosur në lidhje me një rinovim të mundshëm të kontratës me trajnerin aktual Ole Gunnar Solskjaer.

Tekniku norvegjez, që do të festojë 48-vjetorin në fundin e këtij muaji, e mori drejtimin e ekipit më të titulluar në historinë e kampionatit anglez më datën 19 dhjetor të vitit 2018, menjëherë pasi trajneri i mëparshëm, Jose Mourinho, u shkarkua nga drejtuesit e klubit, të cilët e konsideruan si të papranueshme diferencën e 16 pikëve që kishin asokohe “Red Devils” me vendin e parë, pas disfatës në derbin e famshëm të veriperëndimit me Liverpoolin.

Historia dihet, Ole e mori skuadrën për ta drejtuar përkohësisht deri në përfundimin e sezonit 2018-19, megjithatë më datën 28 mars të vitit 2019, pasi fitoi 14 nga 19 ndeshjet e para në të gjithë kompeticionet Solskjaer, u shpërblye nga krerët e klubit me një kontratë 3-vjeçare. Pra, trajnerit nordik i kanë mbetur edhe 16 muaj nga marrëveshja e arritur dy vjet më parë, sidoqoftë, sipas “The Sun”, drejtuesit tani kanë ndër mend për të pritur mbylljen e sezonit aktual, përpara se të nisin bisedimet në lidhje me një rinovim të mundshëm të kontratës.

Në fundin e muajit janar, “Djajtë e Kuq” u mundën në shtëpi nga Sheffield United, klubi i vendit të fundit në Premier League. “Blades” ia dolën mbanë për të triumfuar brenda në “Old Trafford” për herë të parë që nga viti i largët 1973, sidoqoftë ekipi i drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer vazhdon të renditet në vendin e dytë të kampionatit anglez, pavarësisht se ka fituar vetëm 1 takim në 4 sfidat e fundit në Premiership.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat