Ramen Çepele vazhdon të djegë etapat në karrierën e tij.
Mbrojtësi 17-vjeçar i cili debutoi me kombëtaren kuqezi para disa muajsh, i është bashkuar skuadrës së parë të Hannover 96 në stërvitje dhe shumë shpejtë mund të debutojë në Bundesligën e dytë me ish-ekipin e Altin Lalës.
Futbollisti iu bashkua klubit gjerman gjatë verës, me qëllimin që të kalonte si fillim te skuadra e të rinjve dhe ekipi i dytë, në kategoritë e ulëta. Por në klubin gjerman kanë kuptuar cilësitë e jashtëzakonshme të Çepeles dhe ashtu siç pritej, nuk ka vonuar shumë që ai t’i bashkohet skuadrës së parë.
Që nga dita e mërkurë, mbrojtësi i cili vendosi rekordin me debutimin e tij në radhët e përfaqësueses shqiptare, është bërë pjesë e ekipit të parë, duke dale në stërvitje me profesionistët. Ramen Çepele u pikas nga trajneri i kombëtares shqiptare Edy Reja që kur ishte pjesë e të rinjëve të Interit, ndërsa debutoi në fitoren e Shqipërisë në miqësoren ndaj Kosovës duke bërë një paraqitje shumë të mirë.