Kriza financiare që ka goditur Barcelonën dhe mbarë botën e futbollit po i shtyn katalanasit të marrin vendime drastike.
Bëhet fjalë për futbollistin brazilian Filipe Kutinjo. Klubi blaugrana është i detyruar sipas marrëveshjes të paguëjë Liverpulin për çdo paraqitje në fushë të 28-vjeçarit duke vendosur ta lënë jashtë skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.
Duke dashur të kursejnë 5 milionë euro, Barça ka vendosur të mos e angazhojë më Kutinjon në fushë.
Në janar të 2018-ës, Liverpuli pranoi që mesfushori me tipare sulmuese të largohej drejt Barcelonës për 145 milionë euro. Pas sezonit të parë, Kutinjo u huazua te Bajerni, por për shkak të kostos së lartë, bavarezët vendosën që Kutinjo të rikthehej në “Kamp Nou”.
Këtë sezon, Kutinjo ka realizuar 3 gola në 14 ndeshje, por duket se tashmë ai e ka mbyllur sezonin.