Faza e tretë e Kategorisë Superiore do të nisë me përballjen e dy skuadrave me objektiva të kundërt.
Sot në orën 16:00 në Niko Dovana të Durrësit, Teuta do presë Skënderbeun në një sfidë ku “djemtë e detit” do të tentojnë me të gjitha mënyrat të marrin tre pikët për t’u ngjitur në vendin e 2-të të renditjes, dhe ta ngushtojnë përkohësisht në 4 pikë diferencën me Vllazninë kryesuese.
Ndryshe nga Teuta që lufton për titullin, Skënderbeu i Migen Memellit kërkon të jetë pjesë e Superiores edhe sezonin e ardhshëm.
Bardhekuqtë në gjysmën e parë të sezonit kanë hasur shumë vështirësi dhe aktualisht pozicionohen në vendin e fundit të renditjes me vetëm 12 pikë, por ashtu siç e surprizoi në javën e parë të kampionatit duke i rrëmbyer Teutës një barazim 1-1 në Durrës, Skënderbeu mund ta bëjë sërish sot pasi në këtë kampionat diferencat janë fare të vogla.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë sfida e Niko Dovanës e sigurt është që të dyja skuadrat do të luftojnë të marrin maksimumin pasi kanë nevojë për pikë.