Edhe pak dhe më pas do të vijë lamtumira. Aventura e Marcelo me Real Madrid po vjen drejt fundit.
Kontrata e brazilianit skadon në vitin 2022, por palët duket se nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjatjen e tij.
Anësori 33-vjeçar i Real Madrid është kthyer në një zgjedhje e dytë për trajnerin Zinedine Zidane duke qëndruar më shumë në stol dhe kjo është një nga arsyet që lojtari të largohet nga “Los Blancos” pas më shumë se 13 vjetësh.
Braziliani mund të largohet nga Spanja në verën e merkatos dhe një ndër klubet që interesohen për shërbimet e tij është Juventus, i cili prej kohësh kërkon një përforcim për krahun e majtë.
Profili i tij u vlerësua me kujdes nga Paratici verën e kaluar, por kriza ekonomike që shkaktoi pandemia ndali negociatat.
Por sipas mediave italiane, Juve do të provojë përsëri në qershor, me synimin që Marcelo të pranojë ulje të pagës. (Aktualisht merr rreth 8 milionë euro neto në sezon), raporton Ora News.
DANI I RI ALVES? – Juve ju pëlqen ideja e përfshirjes së një lojtari fitues në grup, i aftë për të rritur nivelin e cilësisë dhe personalitetit. Siç ndodhi në 2016 me Dani Alves, i cili zbarkoi në Torino nga Barcelona në moshën 33 vjeçare. Prania e Cristiano Ronaldos mund të lehtësojë negociatat: Marcelo është shumë i lidhur me portugezin dhe ëndërron të luajë (dhe të fitojë) përsëri me të.