Pas përplasjeve në muajin janar, që sollën edhe përjashtimin nga grupi për disa ditë, Edin Dzeko mbeti te Roma dhe u detyrua të bëjë paqe me trajnerin Fonseca, ndërsa tani po përpiqet ta bindë portugezin t’i japë fanellën e titullarit, që kishte deri para pak javësh.
Sulmuesi boshnjak është parë mjaft i karikuar në ndeshjen e kontrollit ditën e enjte, teksa vraponte si të ishte ndeshje zyrtare, dyluftonte fort me mbrojtësit dhe provonte vazhdimisht goditjen në portë.
Për më tepër, si një kapiten i vërtetë kërkonte shpesh duke ngritur edhe zërin, që edhe shokët e skuadrës të tregonin të njëjtin angazhim, teksa trajneri Fonseca është vënë në dyshim për zgjedhjet që do të bëjë në ndeshjen ndaj Udineses.
Mediat pranë klubit kryeqytetas raportojnë se plani i portugezit është të aktivizojë sërish Borja Mayoralin në ndeshjen ndaj friulianëve në kampionat, për të rikthyer më pas Dzekon titullar në transfertën ndaj Bragës në Europa League.
Ndërkohë një tjetër çështje që duhet të zgjidhë Fonseca, është ajo që lidhet me shiritin e kapitenit, pasi të gjithë futbollistët i kanë kërkuar që t’i rikthehet Dzekos dhe madje edhe Lorenco Pellegrini është gati ta heqë nga krahu i tij.
Gjithsesi më herët ka qenë drejtori sportiv Tiagi Pinto ai që ka deklaruar se Dzeko do të rikthehet të japë kontributin e tij te Roma, por tani pa shiritin në krah, ndaj tekniku Fonseca është në dyshim për këtë vendim.