Një klub polak pas Muçit

Futboll

Një klub polak pas Muçit

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 14:35
Një klub polak pas Muçit

Merkatoja në Poloni është e hapur deri të hënën e 15 shkurtit dhe Legia e Varshavës ia ka vënë syrin sulmuesit të Tiranës, Ernest Muçi, për t’u përforcuar për gjysmën e dytë të sezonit.

Klubi polak ka ofruar 450 mijë euro për kartonin e sulmuesit të talentuar, plus 100 mijë euro nëse skuadra ia del të renditet në zonën europiane si dhe 10% të kartonit në rast rishitjeje në të ardhmen.

Megjithatë pretendimi i Legias ka qenë që pagesën ta bëjë vetëm në muajin qershor, në përfundim të sezonit dhe kjo duket se ka stepur momentalisht drejtuesit e Tiranës, të cilët nuk kanë thënë ende jo.

Burime për Supersport konfirmojnë se negociatat mes bardhebluve dhe Legias vazhdojnë, pasi edhe drejtuesit e Tiranës kanë propozuar një formulë të tyren dhe nuk përjashtohet arritja e marrëveshjes gjatë dy ditëve të ardhshme.

Nëse gjithçka do të mbyllet me sukses, atëherë ndeshja e sotme ndaj Kukësit do të jetë e fundit e Ernest Muçit me fanellën bardheblu, ndërsa në të kundërt, atëherë Tirana do të provojë të shesë sulmuesin gjatë merkatos së verës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat