Arbitrim Qira kritikon qeverinë e Maqedonisë së Veriut: Një nga sektorët që nuk u ndihmua fare nga qeveria ishte sporti 

Futboll

Arbitrim Qira kritikon qeverinë e Maqedonisë së Veriut: Një nga sektorët që nuk u ndihmua fare nga qeveria ishte sporti 

Nga: K.G. Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 20:29
Arbitrim Qira kritikon qeverinë e Maqedonisë së Veriut: Një nga sektorët që nuk u ndihmua fare nga qeveria ishte sporti 

Njeriu i parë i klubit të futbollit shqiptar Struga Trim &Lum, Arbitrim Qira, ka disa pyetje për përgjegjësit e sportit në Maqedoninë e Veriut!  

“Si një përfaqësues i sportit nga FC Struga Trim Lum shpreh indinjatë dhe pakënaqësi të madhe në lidhje me ndarjen e mjeteve financiare (vaucerëve) nga Agjencioni për Rini dhe Sport. Duke parë gjendjen dhe krizën që shkaktoi pandemia, një nga sektorët që nuk u ndihmua fare nga qeveria ishte sporti. 

U paralajmërua që ka ardhur koha që të ndihmohet edhe ky sektor me premtime nga politikanë dhe drejtorë, por si gjithmonë vetëm fjalë boshe.  

Një mënyrë për të ndihmuar sportin (edhe pse jo ideale) është sistemi me vauçerë për Sportin por duket që kjo nuk funksionon siç duhet dhe për më shumë është i pakuptimtë sistemi i ndarjeve të mjeteve financiare.

Gjithashtu në saj te premtimeve të ndryshme dhe zotimeve për të ndihmuar sportin nga funksionar të ndryshëm për shkak të pandemisë, pritej që këtë vit të rritet ndihma financiare por në vend që të rritet shuma ajo çuditërisht u ul. Ka shumë pyetje pa përgjigje për ministra, këshilltarë të sportit dhe drejtorin e agjencionit por dua të parashtroj vetëm tre: 

1. Si ka mundësi në kohë pandemie ku ekipet e sportit në përgjithësi punësojnë mijëra persona dhe paguajnë rroga shumë më të larta se që paguan shteti apo edhe kompanitë private ju në vend që të ndihmoni me rritjen e ndihmës financiare nëpërmjet vaucerëve ju e ulni atë. Nuk është sporti me rëndësi në këtë shtet? Nuk mjafton që mijëra familje marrin një pagë nga klubet sportive në vend?

2. Si ka mundësi që futbolli me shumë më shumë ekipe dhe shumë më shumë lojtare aktiv se të gjithë sportet e tjera merr ndihmë me anë të vaucerëve (2.260.000€) siç edhe hendbolli (2.334.000€) apo basketbolli (2.015.000€) me shumë më pak aktivitet? Sipas vaucerëve të ndara mesatarisht një ekip futbolli merr 13.000€ (167 ekipe total) ndihmë ndërsa hendbolli (54 ekipe total) dhe basketbolli (42 ekipe total) mbi 45.000€ dhe volejbolli (21 ekipe) mbi 27.000€? Një ekip modest futbolli i ligës së parë punëson të paktën 50 persona që besoj që është numër më i madh se çdo sport tjetër ekipor. 

3. Së fundi një pyetje për bashkëqytetarin tim nga Struga, Naumce Mojsoski (dhe këshilltarët e tij për sport). Si sportist që ke qenë po të pyes, si ka mundësi në një ligë sporti ku promovohet barazia dhe konkurrenca e barabartë, një ekip të ketë ndihmë nga agjencioni prej 200.000€ dhe një tjetër 50.000€? Si do të ndiheshe ti si sportist të luftosh kundër një ekipi që në start ka ndihmë nga shteti 4 here më shumë?  

Nuk kam asgjë kundër sporteve tjera dhe individëve, por sistemi i tanishëm i ndihmës nga shteti përveçse nuk është i mjaftueshëm është jo korrekt për konkurrencën e barabartë dhe me kritere të pamenduara mirë, sidomos për futbollin ku një shembull për të plotësuar pikët e vaucerit është pjesëmarrja në Champions League apo për me shumë pikë arritja e gjysmëfinales të Champions League gjë që mund të jetë e mendueshme për hendbollin por për futbollin është qesharak si kriter.  

Shpresoj që të merrni parasysh pakënaqësitë që ne kemi dhe te ndryshojmë këtë mënyrë të funksionuarit dhe të ndihmojmë sportin në mënyrë më të organizuar për të rritur kualitetin e të gjitha sporteve në të gjithë vendin dhe te përballemi me dinjitet edhe në ndeshjet në Europë”, reagon përmes një letre Qira.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat