Bora ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit, duke rënduar kushtet dhe në këtë formë duke detyruar FSHF të shtyjë një numër të lartë ndeshjesh, mes tyre edhe takimet e Superiores që ishin parashikuar të luheshin ditën e mërkurë.
Megjithatë, ky fakt nuk ka ndryshuar axhendën e Skënderbeut, teksa pavarësisht temperaturës disa gradë nën zero dhe fushës së mbuluar nga bora, trajneri Migen Memelli i ka nxjerrë të tijtë në stërvitje.
Në këtë formë, korçarët kanë përligjur tërësisht epitetin “Ujqërit e Dëborës” siç edhe njihen ata e tifozeria e tyre, ndërkohë që këto janë sakrifica të cilat duhen bërë pasi juglindorët nuk kanë luksin të qëndrojnë pushim duke parë situatën në klasifikim.
Skënderbeu është në vendin e fundit aktualisht dhe në javën e ardhshme ka ndeshjen e vështirë ndaj kryesuesve të Vllaznisë, ku edhe një pikë do të ishte pozitive.