Bayerni i Mynihut bën goditje në perspektivë. Kampionët e Bundesligës kanë zyrtarizuar blerjen e Dayot Upamecanos nga Leipzigu. Bavarezët kanë nënshkruar me 22-vjeçarin kontratë deri në vitin 2026. Gjithsesi, mbrojtësi deri në fund të sezonit do të vazhdojë të luajë për Leipzigun, që do të thotë se vetëm nga 1 korriku do të jetë futbollist i Bayernit.
42.5 milionë euro, kjo është shifra që do të arkëtojë Leipzigu, e përafart me klauzolën e largimit të Upamecanos.
I lumtur për këtë marrëveshje, drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic, tha për faqen zyrtare se 22-vjeçari do të jetë i rëndësishëm për projektin e klubit bavarez.
“Ne jemi të lumtur që kemi nënshkruar me Upamecanon. Ne jemi të bindur që Dayot do të jetë një anëtar i rëndësishëm i ekipit në vitet e ardhshme.”
Upamecano këtë sezon ka luajtur në 26 ndeshje me Leipzigun dhe ka shënuar një gol. Ai u ble në vitin 2017 te “kushërinjtë” e Salzburgut (të dy klubet sponsorizohen nga kompania e famshme Red Bull) për 10 milionë euro.