Magath zbulon prapaskenat e kalimit të Raul te Schalke

Futboll

Magath zbulon prapaskenat e kalimit të Raul te Schalke

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 14:22
Magath zbulon prapaskenat e kalimit të Raul te Schalke

Felix Magath e mban mend si të ishte dje. Ish-trajneri gjerman ishte një nga “fajtorët” kryesorë, që Raúl González vendosi ta përfundojë kohën e tij te Real Madridi në 2010 për t’u bashkuar me Schalke 04. 11 vjet më vonë, Magath kujtoi negociatat e njërit prej ish-nënshkrimeve më spektakolare në Bundesligë. Ai nuk ka dyshim se legjenda e Real Madridit, në një të ardhme jo shumë të largët do të përfundojë duke stërvitur klubin e jetës së tij.

Gjithçka filloi kur Christoph Metzelder, një tjetër ish-madridas, që u bashkua me “minatorët” po atë verë, e pyeti Magath nëse kishte nevojë për një sulmues dhe i propozoi Raul. “A je çmendur?” – iu përgjigj Magath. Ai mendoi se ishte një shaka, siç kujton tani. “E pyeta Metzelder nëse i mungonte ndonjë vidë, nëse ishte çmendur. Thjesht mendova: Raúl?! Çfarë po më thua”, – shpjegoi ish-trajneri, i cili aktualisht është këshilltar i klubit.

Por Metzelder insistoi dhe i tha atij: “Kam folur me Raul dhe do ta telefonoj për ta pyetur mbi këtë mundësi”. Pastaj, Magath u ndal për të menduar: “Çfarë do të bëjë Raúl? Ai nuk luan më për Real Madridin dhe nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë skuadër në Spanjë. Mbase e josh Anglia? Si sulmues në Angli, atje do t’ia kishin thyer këmbët. Futbolli italian ishte shumë mbrojtës, edhe atje do të kishte problemet e tij”.

Prandaj, Magath filloi ta besonte atë mundësi dhe ra në kontakt me Raul. Sigurisht, jo gjithçka ishte një përrallë, kur operacioni u mbyll dhe Raúl ndryshoi “Bernabéu” për “Gelsenkirchen”. “Kur po stërvitej për herë të parë me ne, i thashë vetes: O Zot, çfarë ke bërë, trap! A je budalla? Ai nuk ishte në gjendje shumë të mirë fizike. Por, si profesionist ishte i jashtëzakonshëm. Teknikisht ishte i jashtëzakonshëm dhe vullneti për t’u stërvitur gjithnjë shembullor. Si person dhe si personalitet, ai ishte i jashtëzakonshëm”, – kujton Magath.

Kur u pyet për të ardhmen e legjendës së Real Madridit, ish-trajneri i tij gjerman nuk kishte dyshime: “Nuk kisha takuar dikë si ai më parë. Unë kam respektin më të madh për të si lojtar dhe si person. Për këtë arsye, jam i bindur që do ta shohim atë si trajner te Real Madridi në një të ardhme jo shumë të largët”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat