Skuadra e Gjilanit nuk e ka nisur aspak mirë sezonin pranveror në futbollin e Kosovës.
Pas humbjes ndaj Istogut me rezultatin 2:0, që nënkuptoi me eliminim nga Kupa e Kosovës, skuadra e Gjilanit u ndal dy herë në Superligë.
Fillimisht Gjilani barazoi 1:1 me Feronikelin dhe sot humbi 3-1 ndaj Llapi i Tahir Batatinës.
Pas rezultateve të dobëta të skuadrës, presidenti i Gjilanit, Florim Zuka theksoi se s’ka koment, pasi ndodhet jashtë shtetit, por sapo të kthehet do të ulet dhe do të bisedojë me shtabin teknik.
“Sa i përket rezultateve nuk kam koment, jam jashtë shtetit, sapo të kthehem do të ulem me shtabin teknik të bisedoj”, tha fillimisht Florim Zuka.
Në fund, Zuka foli edhe për deklaratën e Ansi Nikës, i cili sot për GazetaBlic Sport deklaroi se ka persona që fusin hundët tek presidenti dhe ndikojnë në klub. Zuka tha se Nika është lojtar i madh, ndërsa e mohoi se ndikohet nga ndonjë person.
“Sa i përket deklaratës së Ansi Nika mund t’ju them se nuk ndikohem nga askush për asgjë, vetëm sygjerime mund të marrë nga njerëz profesionist. Ansi ka të drejtë të shpreh mendimin e tij, për mua është një lojtar profesionist dhe shumë i sinqert, respekt për të”, përfundoi Zuka.