Ish futbollisti i mirënjohur, tani analist dhe trajner, Faruk Statovci beson se Bledar Devolli mund të largohet nga posti i trajnerit të Drenicës, në rast se humb ndeshjen ndaj Feronikelit në mesjavë.
Drenica ka një humbje nga Prishtina dhe një barazim me Besën në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror të Superligës së Kosovës.
Aktualisht, Drenica ndodhet në pozitën e parafundit me vetëm 20 pikë.
“Drenica per mendimin tim nuk është befasi që po humb ndeshjet, sepse edhe deklaratat e trajnerit, janë deklarata qesharake për mendimin tim, sepse në një skuadër ku mbrenda një muaj transferohen 15-16 futbollista, vetëm duhet të jesh gjeni, sepse është problem me komponu ekipin”, tha fillimisht Statovci.
“Drenica është në një situatë shumë të vështirë dhe tani në bazë të deklaratave të kryesisë, ku dihet se trajneri nuk e ka vendin e sigurtë. Nëse Drenica humb ndaj Feronikelit, Devolli mund të shkarkohet, në bazë të fjalëve të kryetarit. Është vështirë që Devolli të vazhdojë, sepse të gjitha transferimet i ka bërë vet dhe në fund barazoi me kadetët e Besës”, përfundoi ai.
Feronikeli e mirëpret Drenicës të enjtën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Gllogoc.