Përfaqësuesja e 19-vjeçarëve të Shqipërisë ka nisur një kapitull të ri. Armando Cungu pas shumë viteve si trajner në Kategorinë Superiore, ku fitoi edhe një Kupë e Superkupë me Laçin është rikthyer tek futbolli i grupmoshave, jo më tek Vllaznia e tij, por tek skuadra përfaqësuese.Të jesh pjesë e ngjyrave kuqezi është një ëndërr, edhe kur je futbollist, por edhe kur ke rolin e trajnerit, dhe të tillë e konsideron këtë detyrë të re tekniku shkodran.
Seleksionimet e para kanë nisur, dhe për trajnerin kjo është një fazë shumë e rëndësishme për të vëzhguar ata elementë që mund t’i shërbejnë skuadrës kombëtare.
Federata shqiptare e futbollit ka monitoruar fëmijë shqiptarë në të gjithë Europën, megjithatë sipas Cungut askush nuk ka prioritet nga emri i klubit ku luan, sepse aftësia do të jetë i vetmi element që do të vecojë një futbollist nga një tjetër.
Përfaqësuesja shqiptare e 19-vjeçarëve ka si synim evidentimin e talentëve që në të ardhmen t’i shërbejnë kombëtares A, por edhe rezultati nuk mund të anashkalohet nga objetkivat e përfaqësueses së të rinjve.