Faton Brahushi ka shumë ngjarje të hidhura por njërën nga to nuk e harron në fushën e futbollit të Novosellës në komunën e Gjakovës. Në atëkohë Brahushi ka qenë lojtar i skuadrës së futbollit Gjakova.
“Në vitin 1994/1995 më kujtohet kur policia serbe na ka ardhur në gjysmëfinale të Kupës së Rrafshit të Dukagjinit kundër Besës dhe i kanë përndjekë mbi 3000 spektatorë. Aty i kanë arrestuar kryesinë dhe futbollistët.
Aty kanë qenë duke u luajtur edhe gjysmëfinalja tjetër ndërmjet Vëllaznimit dhe Lirisë në fshatin Novosellë sepse aty i zhvillonim ndeshjet po ashtu edhe kryesitë e atyre dy ekipeve i kanë marrë policia”, tregon Brahushi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Faton Brahushi - i dyti ulur në të majtë me KF Gjakovën në vitet e 90-ta
Brahushi i takon Gjeneratës së Republikës dhe është krenar për mundin që ka bërë në fushën e lojës, po ashtu që ka rrezikuar shumë me shokë për futbollin dhe shtetin e Kosovës.
Ai, si shumë sportistë të tjerë ishte halë në sy për regjimin serb por asnjëherë nuk u tremb dhe as nuk dorëzua përkundër kërcënimeve të llojllojshme.
Brahushi karrierën si futbollist aktiv e përfundoi në vitin 2002, pastaj i përvishet zejes së gjyqtarit të futbollit.
Sot është krenar që kontribon ende për futboll dhe lozin të lirë në shtetin e Kosovës, nuk janë të rrezikuar me jetë sikur në vitet e 90-ta nga okupatori serb.