Llapi nga Podujeva është gati për sfidën e madhe me Ballkanin nga Theranda. Llapjanët janë të kompletuar për ndeshjen e nesërme dhe me bindje se do të fitojnë pik të plota, që të ikin sa më larg zonës së rrezikut.
“Lajme të mira nga infermieria për ndeshjen e nesërme ndaj Ballkanit! Rikthehen Januzi e Idrizi – i gatshëm për ndeshje edhe Haliti.
Në seancën e fundit të zhvilluar sot në mëngjes, skuadra e Llapit ka marrë lajme pozitive për ndeshjen e nesërme ndaj Ballkanit. Pozitiv për skuadrën është rikthimi nga lëndimi i sulmuesit Ahmed Januzi dhe mbrojtësit, Bujar Idrizi, teksa për shkak të një lëndimi në ndeshjen me Trepçën '89 ku u deshtë të zëvendësohej në minutën e 31-të, Ahmet Haliti, u konstatua se nuk ka lëndim serioz dhe është i gatshëm për ndeshje.
Të tre futbollistët janë në gjendje të mirë dhe janë në mesin e futbollistëve të ftuar nga kryetrajneri, Tahir Batatina për ndeshjen ndaj Ballkanit, që zhvillohet nesër, e diele në ora 13:30 në stadiumin 'Zahir Pajaziti'”, njofton KF Llapi.