Tirana ka mposhtur me përmbysje 1-2, Vllazninë në “klasiken” e futbollit shqiptar, të vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore.
Shkodranët realizuan të parët me Dilaver në minutën e 4-t, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Festa e kuqebluve zgjati vetëm 2 minuta pasi Batha vendosi baraspeshën në minutën e 6-të me një gjuajtje nga goditja e dënimit.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Në pjesën e dytë ishte Kale, i cili i hedhur nga stoli, pas asistit të Seferit, përmbysi rezultatin duke i siguruar 3 pikë të arta kampionëve në fuqi të Superiores.
Një asist ky edhe për Partizanin dhe Laçin që janë ndjekësit e Vllaznisë. Për sa i përket skuadrës së Brdariç, pas kësaj humbjeje, shkodranët janë zhytur në krizë të thellë rezultatesh.