Fyerjet ndaj një futbollisti shqiptar janë cilësuar si një ngjarje shumë e rëndë dhe vepër penale që duhet ndëshkuar rreptësisht nga Prokuroria e Trentos.
Kjo e fundit ka dënuar me 5 vite përjashtim nga çdo lloj impianti futbollistik amator trajnerin Luka Tioco, i cili kishte fyer gjatë një ndeshje të Serisë D futbollistin Grasjan Aliu.
Trajneri në fjalë ishte dënuar 4 muaj, të cilat u kthyen në 2 pas apelit, nga drejtësia sportive italiane, pasi gjatë ndeshjes mes skuadrës së Sedikos që drejton dhe Adrieses të luajtur në dhjetor, kishte ofentuar futbollistin "shqiptar m***" gjatë sfidës. Ai dhe Aliu njiheshin pasi trajneri e kishte drejtuar vetëm një vit më parë futbollistin.
Gjyqtari i katërt dëgjoi gjithçka dhe i dha karton të kuq, nga i cili erdhi edhe pezullimi nga Federata Italiane.
Por ndërkohë, Prokuroria në Trento hapi hetim dhe pas dy muajsh, u vendos se kjo përbënte shkelje të rëndë me bazë etnie. Kështu, nga Prokuroria u dha masa e përjashtimit nga çdo impant sportiv i Tiocos për 5 vitet e ardhshme, duke mbyllur praktikisht karrierën e tij, pasi ai do ta ketë të pamundur që të drejtojë qoftë edhe në stërvitje.