Ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, dhe tre zyrtarë të tjerë të lartë të klubit, do të dalin sot para gjykatës, një ditë pasi u arrestuan në lidhje me skandalin “Barcagate”.
Ish-presidenti u arrestua të hënën bashkë me shefin ekzekutiv të klubit, Oscar Grau, drejtorin për çështje ligjore Roman Gomez Ponti dhe Jaume Masferrer, për të cilin thuhet se ishte krahu i djathtë i Bartomeut.
Të gjithë prej tyre refuzuan të jepnin deklaratë në polici të hënën, prandaj do ta bëjnë një gjë të tillë para gjykatësit sot gjatë ditës.
Ata e kaluan natën në paraburgim.
Policia e Katalonjës, Mossos d’Esquadra, i bastisi zyrat e klubit të Barcelonës të hënën në mëngjes në lidhje me këtë skandal.
Çfarë është skandal “Barcagate”?
Vitin e kaluar, u raportua se klubi i kishte paguar disa kompani private për t’i kritikuar dhe njollosur në rrjetet sociale kundërshtarët e Bartomeut, përfshirë lojtarë dhe trajnerë nga e kaluara dhe e tashmja.
Lionel Messi, Pep Guardiola, Xavi dhe Gerard Pique ishin në mesin e atyre që ishin cak i njollosjes dhe kritikave nga kompania I3 Ventures në një fushatë njolloseshe trivjeçare.
Presidenti i atëhershëm i Barcelonës Bartomeu i pati hedhur poshtë akuzat në shkurt të vitit të kaluar.
Synimi i saj ishte ta mbronte Bartomeun dhe reputacionin e tij duke i kritikuar kundërshtarët e tij.
I3 Ventures kishte llogari në Twitter dhe Facebook të cilat postonin në lidhje me lojtarët e Barçës.
Ajo i kishte bërë disa sulme ndaj Messit për ngurrimin e tij për ta nënshkruar kontratën e re me Barçën, derisa Pique u kritikua për projektin e tij për ta riorganizuar turneun e tenisit për shtete, Davis Cup.
Tetë anëtarë të klubit bënë ankesë zyrtare në polici, e cila e nxiti një hetim i cili ka vazhduar për disa muaj.
Pas kësaj hetimi, policia katalonase i bastisi zyrat e Barcelonës të hënën.
Në një kontroll të kryer në korrik, policia kishte marrë dokumente në lidhje me këtë skandal.
Bartomeu e kishte pranuar në fillim të vitit të kaluar se e kishte kontraktuar kompaninë I3 Ventures për rrejte sociale por këmbënguli se nuk kishte marrëveshje me të për ta kritikuar Messin me bashkëlojtarë.