Kategoria Superiore rikuperon këtë të mërkurë një tjetër datë “të humbur” nga nisja e vonë e kampionatit për shkak të bojkotit të fillimsezonit. Sot, në dy orare të ndryshme do të zhvillohen të pesta sfidat e raundit të 22-të, në përfundimin të të cilit mund të kemi ridimensionim të renditjes së përgjithshme.
Kështu, në orën 13:00 luhen tri takime, Apolonia-Partizani, Tirana-Bylis dhe Skënderbeu-Kastrioti. Në “Loni Papoçiu” ka përplasje objektivash, me fierakët që kanë nevojë emergjente për pikë për objektivin mbijetesë, ndërsa të kuqtë duan fitoren për të barazuar qoftë për pak orë Vllazninë kryesuese.
Tirana, e cila vjen pas një fitoreje të madhe në “Loro Boriçi”, pret në “Selman Stërmasi” Bylisin, një kundërshtarë më inferior në letër, por që në dy takimet e para të këtij sezoni nuk është mposhtur përballë bardhebluve.
Për Skënderbeun, sfida më Kastriotin duhet të jetë ajo e kthesës sa u përket rezultateve, në të kundërt, pra nëse krutanët marrin rezultat pozitiv në këtë transfertë, misioni mbijetesë do të bëhej shumë më i vështirë.
Në orën 16:00 do të zhvillohen dy takimet më të zjarrta të kësaj jave. Teuta pret në “Niko Dovana” Vllazninë, në një duel titulli, ku barazimi do t’i shkonte përshtat vetëm skuadrës shkodrane. Edhe me një pikë në Durrës kuqeblutë do ta ruanin kreun, ndërsa “Djemtë e Detit”, me një fitore të mundshme do ta ndiznin edhe më shumë garën për titull.
Kukësi-Laçi është një tjetër duel interesant mes rivalësh, në mos për titullin, për Europën. Laçi i vendin të tretë, me ambicie maksimale në këtë kampionat ka 7 pikë më shumë se ekipi i Josës, por nëse verilindorët do të marrim maksimumin, do t’u bashkoheshin katër skuadrave të para në garën për objektivin madhor.
Java 22
Apolonia-Partizani 13:00
Tirana-Bylis 13:00
Skënderbeu-Kastrioti 13:00
Teuta-Vllaznia 16:00
Kukësi-Laçi 16:00