Besa edhe në këtë javë ka vazhduar me paraqitje të zbehtë, duke u mposhtur si vendas nga Trepça ’89 me rezultat 2-1. Pejanët tashë janë shumë poshtë ekipeve të tjera që synojnë mbijetesën.
Megjithatë, kryetrajneri i kësaj skuadre, Leutrim Krasniqi është ndarë i kënaqur nga ajo se çfarë kanë treguar futbollistët e tij në këtë takim.
“Pavarësisht rezultatit për të cilin normalisht se nuk jam i kënaqur, unë i përgëzoj futbollistët të cilët e merituan fitoren, pasi që kompletuan një ndeshje mjaft të mirë në dy drejtimet, sikurse në repartin defansiv, po ashtu dhe në repartin ofansiv. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës”, deklaroi fillimisht Krasniqi për “Art Sport”.
“Synimet tona janë të ngrisim nivelin e futbollistëve dhe të qasemi me shumë seriozitet nga ndeshja në ndeshje. Ne synojmë të fitojmë çdo ndeshje pavarësisht që jemi në pozitën e fundit të renditjes tabelare”, përfundoi Krasniqi.
Besa e Pejës mbetet në pozitën e fundit të renditjes tabelare me vetëm 7 pikë të grumbulluara.
Në ndeshjen e radhës skuadra e Besës do të përballet me Prishtinën në “Fadil Vokrri”.