Presidenti Agim Ademi sot priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Divizionit të Rrjetit KEDS, Alpin Dogan, me bashkëpunëtorët e tij, e ku i pranishëm ishte edhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.
Me këtë rast u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kompanisë KEDS.
Të dy palët u dakorduan për partneritet në disa fusha, e të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të Kosovës, e njëherësh janë me interes të dyanshëm.
Karakteri primar i këtij memorandumi është sponsorizimi, me ç’rast KEDS do të ndihmojë FFK-në në sigurimin e mjeteve teknike, siç është instalimi i një trafoje me linjë të veçantë për Kampin Edukativ Sportiv në Hajvali.
Partneriteti me KEDS-in mundëson edhe lehtësimin e tarifave të energjisë elektrike në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, si dhe lehtësira në të gjitha aspektet të cilat i përkasin kompanisë KEDS. Si kundërvlerë kjo kompani tash e tutje do të jetë sponsor zyrtar dhe do të ketë hapësirat e saj reklamuese në të gjitha aktivitetet e FFK-së.