Drenica ka pësuar humbje nga Ballkani në Suharekë, në kuadër të javës së 23-të kampionale.
“Kuqezinjtë” nga Skenderaj u mposhtën me rezultat të ngushtë 2:1, duke vazhduar luftën për mbijetesë.
Ndihmëstrajneri i Drenicës, Johanes Tafaj, është deklaruar për “ArtSport” pas ndeshjes. Ai tha se skuadra e Drenicës e nisi ndeshjen mirë, por goli i parë i pësuar bëri që ata të bien në anën psikologjike.
“E dinim se do të ishte shumë vështirë pasi përballë kishim një kundërshtar të fortë, i cili luan shumë mirë në shtëpi. E nisëm mirë por me të ulur ritmin e lojës, e pësuam golin e parë dhe kjo bëri që ekipi të bie psikologjikisht”, tha Tafaj.
Drenica vazhdon të mbetet në zonën e kuqe për rënie nga elita dhe ka grumbulluar 24 pikë.