Prishtina po përgatitet për sfidën e madhe, kundër Llapit nga Podujeva, në kuadër të javës së 23-të të elitës së futbollit të Kosovës.
Bardhekaltrit kërkojnë fitoren e radhës dhe të janë sa më afër kreut të tabelës, ndërsa Llapi është i motivuar që të kthehet i pamposhtur. Prishtina renditet në vend të tretë me 44 pikë dhe Llapi është i shtati me 26 sosh.
“Pa dyshim që ndeshja kundër Llapit do të jetë shumë e vështirë, por në anën tjetër ne dëshirojmë vetëm tre pikë, asgjë tjetër.
Jemi duke kaluar në formë optimale, atmosfera është e shkëlqyer, kemi kapur ritmin dhe s’kemi pse mos ta vazhdojmë tutje.
Kuptohet, duhet dhënë angazhim maksimal dhe të kemi përqendrim të plotë.
Besoj shumë se do të vazhdojmë serinë e fitoreve duke i gëzuar të gjithë qytetarët prishtinas, ‘Plisat’ dhe adhuruesit e klubit anembanë vendit që më në fund të sjellim titullin e kampionit në kryeqendër”, ka thënë mesfushori, Qendrim Zyba për faqen e FC Prishtina.
Ndeshja luhet nesër në orën 13.00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.