Një sfidë për të vazhduar ecurinë pozitive, për të marrë për herë të parë në këtë sezon tri fitore radhazi si dhe për të arritur objektivat. Ky është synimi i Tiranës së Shehit përballë Kastriotit, me bardheblutë që kanë bërë mirë në javët e fundit, ndaj Vllaznisë dhe Bylisit.
Nga statistikat është e vërtetë, nuk kemi bërë tri fitore radhazi. Është mundësia për t’u ringjitur dhe marrë fitoren e tretë për objektivat që kemi. Do të futemi me mendimin për të marrë maksimumin e pikëve.
Rikthimi i disa futbollistëve, si Batha, që ishte pezulluar për shkak kartonësh, por dhe Najdovskit, që ka kaluar COVID-19, është diçka pozitive për trajnerin e bardhebluve, që do të ketë dhe grupin pothuajse të plotë për ndeshjen me krutanët.
Jnë rikthyer lojtarët, por nesër do të vendosim se cilët prej tyre do të aktivizojmë. E rëndësishme është që ata që do të luajnë të jenë 100% në formë për të ndihmuar skuadrën dhe për të dhënë më të mirën e tyre.
Fitoren e kërkon edhe Ismajlgeci, që ndaj Bylisit shënoi golin e sigurisë dhe tanimë synon që skuadra të vazhdojë rrugën e mbarë në këtë kampionat.
“Ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe pse jo të arrijmë sa më lart”.