Trajneri i Prishtinës, Zekrija Ramadani, ka deklaruar se skuadra e tij ka pasur gjithmonë titullin e Superligës si objektiv.
Prishtina triumfoi në stadiumin Fadil Vokrri ndaj KF Llapit në kuadër të xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës.
Kryeqytetasit shënuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë, përmes Besnik Krasniqit min (30′) dhe Shillovës min (34′).
Pas ndeshjes, trajneri i Prishitnës, Zekrija Ramadani, është shprehur i kënaqur me rezultatin dhe deklaroi se klubi ka pasur qëllim titullin që nga fillimi kur ai është emëruar në krye të skuadrës bardh e kaltër.
“Që nga fillimi i kampionatit ne kemi pasur objektiv kryesor titullin e kampionit. Në fazën e parë nuk arritëm të implementonim filozofinë e lojës tonë dhe kjo na kushtoi me disa rezultate jo shumë të mira”, tha ai.
“Se a do të festojmë në xhiron e fundit apo jo, mbetet të shihet, ne jemi në rrugën e duhur për ta bërë atë”, tha Ramadani.
“Futbollistët duhet të mendojnë vetëm për ndeshjen e radhës dhe të japim maksimum në secilën prej tyre”, shtoi ai.
“Deri tani e kanë kryer detyrën e tyre me shumë sukses dhe për këtë unë dëshiroj ti përgëzoj ata. Tani e tutje, kalendari shkon duke u vështirësuar dhe natyrisht që nuk do të jetë e lehtë as për ne”, përfundoi Zekrija Ramadani.
Me këtë fitore, Prishtina gjendet në pozitën e dytë me 47 pikë, një më pak se Ballkani i cili është lider i Superligës.