Neymar do ta humbasë edhe ndeshjen kthyese ndaj ish-klubit të tij, Barcelonës në fazën e parë të nokautit në Champions League.
Paris Saint-Germain e fitoi ndeshjen e parë në “Camp Nou” me rezultat 1:4, ndërsa ka komoditetin e gjithë botës në ndeshjen kthyese që luhet në “Parc Des Princes”.
Neymar mungoi në ndeshjen e parë dhe do të mungojë edhe në të dytën. Kjo është bërë e ditur edhe nga klubi parisien përmes një komunikate për media.
“Neymar Jr rifilloi trajnimin e pjesshëm me skuadrën javën e kaluar dhe do të vazhdojë punën e tij individuale të rikuperimit. Një pikë e re do të bëhet në ditët në vijim” – thuhej në komunikatën e PSG-së.
Ndeshja mes PSG-së dhe Barcelonës luhet nesër, ndërsa paraqitja e brazilianit nuk është e mundur.
Herën e fundit kur këto dy ekipe u përballën në Champions League, Barcelona bëri rikthimin më të madh në histori të futbollit, ndërsa kishte në ekip Neymarin që bëri paraqitje fantastike në ndeshjen kthyese.
Pasi u mposht në Francë 4:0, Barcelona arriti të fitonte 6:1 në Spanjë për t’u kualifikuar tutje, por rrugëtimi i tyre u ndal menjëherë në fazën tjetër nga Juventusi..