Skënderbeu është në vendin e fundit, mbijetesa nuk do të jetë aspak e thjeshtë dhe me një skuadër të re, pa emra, madje me disa ndryshime edhe në janar, ku u larguan një pjesë e erdhën të tjerë, do ta ketë maloren impenjative për të qëndruar mes më të mirëve, megjithatë ky ekip nuk është dorëzuar.
Fitorja në “Elbasan Arena” kundër Partizanit ishte një dëshmi e shpirtit të garës, që, edhe pse ndonjëherë dukej se kish vdekur, si p.sh. në ndeshjen ndaj Kastriotit, është akoma aty dhe këta lojtarë janë gati të luftojnë deri në fund për të mos e rrëzuar në Kategorinë e Parë, ekipin më të mirë të periudhës 2011-2018.
Korçarët nuk vodhën asgjë kundër një prej kandidatëve për titull, ndërkohë që nuk mund të mos vlerësohet Migen Memelli. Ka pranuar një sfidë të vështirë, një skuadër që ka probleme teknike, përveçse është e brishtë psikologjikisht, dhe deri më tani tekniku ia ka dalë t’i shkëpusë një pikë Vllaznisë kryesuese dhe të mposhtë Partizanin.
Kjo fitore, përveçse në aspektin e pikëve, ka një efekt ndoshta akoma më të rëndësishëm, mund të ndikojë drejtpërdrejt në moralin e skuadrës.
Diferencat, në fushë në aspektin sportive, me Bylsin dhe Apoloninë, nuk janë të mëdha dhe në këtë situatë forca e moralit mund të jetë vendimtare në garën për mbijetesë.