Në kohën e vështirë të pandemisë globale të koronavirusit, pothuajse çdo shtet ka ndaluar rreptësisht hyrjen dhe tejmbushjen e impianteve me tifozët e tyre, protokolli i UEFA-s lejon deri në maksimumi 30% të prezencës së tifozëve në stadium.
Për këtë ka reaguar dhe tifogrupi i Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”, teksa me anë të një postimi në profilin e tyre në rrjetin social “Facebook” i kanë kërkuar Qeverisë të Shqipërisë lejimin e tifozëve në ngjarjen sportive.
Tifozat Kuq e Zi, postimi:
“Duke marrë parasysh që Kombëtarja jonë është pranë një cikli kualifikues mjaft të rëndësishëm, gjithashtu duke pasur parasysh fillimin e vaksinimit kundër COVID-19, Tifozat Kuq e Zi (TKZ) kërkojnë nga Qeveria Shqiptare të bëjë të mundur lejimin e pjesëmarrjes së tifozëve në ngjarje sportive.
Jemi të vetëdijshëm për situatën me pandeminë, por po ashtu jemi dëshmitarë të shumë vendeve me statistika më të zeza me COVID-19, që kanë lejuar pjesëmarrjen e tifozëve në masën 30% (UEFA) të kapacitetit të stadiumit.
Me këtë rast kërkojmë nga FSHF që të shtoj presionin tek autoritetet shtetërore, që ndeshjet e ardhshme të Kombëtares të luhen me praninë e lojtarit të 12-të".