Prishtina nuk ka të ndalur, ka regjistruar fitoren e gjashtë rresht në pjesën pranverore në Superligën e Kosovës, njëherësh ka marrë përkohësisht edhe kreun e tabelës.
Bardhekaltrit me lehtësi e mposhtin me rezultat 5:1 Besën e Pejës, në kuadër të javës së 24-të. Prishtina tregoi lojë shumë më të mirë dhe si pasqyrë e kësaj shënuan edhe fitore të thellë.
Për Prishtinën shënuan Leonit Abazi (14’), Endrit Krasniqi (20’), Leutrim Kryeziu (28’), Gauthier Mankenda (67’), Albin Prapashtica (83’) dhe për Besën Donart Sheqerolli (47’).
Prishtina udhëheq kreun me 50 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Drita në pozitën e dytë dhe dy se Ballkani që renditet i treti dhe Besa është në fund (i dhjeti) me 7 pikë.
Kryetrajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, është jashtëzakonisht i lumtur për fitoren dhe beson e shpreson se do të vazhdojnë me këtë ritëm. Prishtina në fundjavë luan në Drenas me Feronikelin dhe Besa e pret Llapin.