Luajnë 14 mijë shqiptarë në ekipet italiane

Futboll

Luajnë 14 mijë shqiptarë në ekipet italiane

Më: 11 mars 2021 Në ora: 17:14
Luajnë 14 mijë shqiptarë në ekipet italiane

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini zhvilluan sot një vizitë speciale në “Shtëpinë e Futbollit”.

“Dua të falënderoj Presidentin Duka për këtë mikpritje të shkëlqyer. Futbolli ka një gjuhë unike, një gjuhë universale. Rrëzon çdo barrierë dhe bashkon popujt. Në këtë rast specifik miqësia që më lidh me z. Duka është një shenjë e qartë se futbolli ka një dimension të shkëlqyeshëm marrëdhëniesh. Sot së bashku me miqtë tanë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut përfaqësojmë të katër thuajse 8% të kampionatit të futbollit europian.

Kjo tregon se sa e rëndësishme është të qëndrojmë bashkë, sa e rëndësishme është që përmes futbollit të jetojmë emocionet që i bëjnë edhe më të forta ndjenjat mes popujve. Me Shqipërinë ne jetojmë një marrëdhënie ku ndajmë shumë projekte të futbollit në vendet tona, por edhe në nivel europian”, – tha kreu i Federatës Italiane të Futbollit, duke u ndalur më pas edhe te solidariteti i treguar në rastin e tërmetit të nëntorit 2019.

“Kur ka një moment vështirësie të madhe siç kemi përjetuar ne në Itali në vitin 2009, siç ka përjetuar Shqipëria në vitin 2019 mendoj se popujt bashkohen dhe i përballojnë nevojat së bashku me vëllezërit dhe miqtë e tyre. E kam vlerësuar shumë disponibilitetin e Shqipërisë dhe të Presidentit Duka për të krijuar këtë moment për t’u takuar me miqtë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sepse së bashku kemi zbuluar se jemi të apasionuar pas futbollit, por mbi të gjitha jemi miq. Në pak kohë takohemi, në pak kohë arrijmë të ndajmë ato që janë vlerat e vërteta të sportit. Kjo është forca e madhe e sportit, kjo është forca më e madhe e futbollit.

Për këtë dua të falënderoj presidentët, falënderoj ju të gjithë për disponibilitetin dhe mikpritjen dhe më lejoni të them rroftë futbolli, rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Kosova dhe rroftë Maqedonia e Veriut!”, – u shpreh z. Gravina.

I pyetur nga gazetarët nëse kjo vizitë ka lidhje edhe me kandidimin e tij për postin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, presidenti i Federatës Italiane deklaroi: “Jo, sot nuk duam të merremi me politikë. Mund të flisnim edhe në telefon për këtë çështje. Prezenca ime këtu është një formë respekti për z. Duka, sepse e meriton e sepse bashkëndajmë një rrugëtim të rëndësishëm, por mbi të gjitha sepse unë besoj që Italia, Shqipëria dhe futbolli duhet të zbulojnë edhe kuptimin e të qenit së bashku.

Nuk mund të humbasim ato që janë momentet e ekzaltimit të sportit tonë, duke jetuar vetëm kompeticionet sportive. Kemi nevojë të takohemi nga afër. Kemi qëndruar bashkë mbrëmë në një atmosferë të shkëlqyer, sot do të kalojmë një tjetër ditë bashku dhe më lejoni të them se kjo është forca e ndjenjës së madhe që na bashkon”.

Pyetjes se çfarë do të bëhet me futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët aktivizohen në Itali e që kanë probleme me dokumentacionet, z. Gravina iu përgjigj: “Është një problem i vërtetë, për fat të keq burokracia është një nga elementët që bllokon mundësitë për të luajtur për shumë të rinj.

Komuniteti më i rëndësishëm në Itali që praktikojnë sportin, është ai shqiptar. Janë rreth 14 mijë futbollistët shqiptarë që luajnë për klube italiane dhe duhet të përshpejtuar ky proces. Unë uroj që me qeverinë italiane të mund të gjenden modalitetet e duhura për të përshpejtuar hapat”.

Ndërsa sa i përket mundësisë për të organizuar një miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë në të ardhmen e afërt, z. Gravina u shpreh se dëshira është e madhe, por kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare të UEFA-s nuk lë hapësira për momentin.

“Do të kisha shumë dëshirë të bëhej, ne kemi dy ndeshje mes ekipeve kombëtare të moshës U-19 në muajin gusht. Për fat të keq kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare na impenjon që të dyja vendet në garat zyrtare. UEFA i ka organizuar tashmë kampionatet zyrtare, por po përpiqemi të përdorim kompeticionet e moshave për të gjetur një mundësi për t’u ndeshur në fushë”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat