Kryetrajneri i Llapit nga Podujeva, Tahir Batatina, sulmon ashpër Xhevat Prekazin, ish futbollist i Remontit të Mitrovicës, pastaj në Partizan të Beogradit, Hajduk të Splitit dhe në Galatasaray.
Prekazi tani e një kohë të gjatë jeton dhe vepron në Beograd, është trajner në Partizan të Beogradit për grupmoshat e reja, por si zakonisht ai njihet me deklarata të pamatura kur është në pyetje Kosova.
“I nderuar Xhevat Prekazi, edhe pse jam i ri në moshë i kam informatat e sakta nga njerëzit që janë gjallë sot në mesin tonë që ti kurrë nuk iu ke përgjigjur Fadil Vokrrit e as Kosovës sepse ti shpirtin e ke në Beograd dhe jo në Kosovë.
Nuk kemi nevojë për ty dhe as për njerëzit si ti që nuk kanë ndjenja të shqiptarit.
Jam krenar për ata që u flijuan për futbollin dhe veçanarisht për Legjendën, Fadil Vokrri që bëri shumë për futbollin e Kosovës, ndërsa nuk po mërzitem aspak se a gëzohesh ti apo hidhërohesh për pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA sepse Kosova ka djem të shkolluar dhe të përgatitur profesionalisht për t'i kontribuar vendit dhe futbollit.
Futbolli i Kosovës është në rrugë të mirë dhe të mbarë. Nuk kemi nevojë për njerëz si ju sepse nuk i duhet Kosovës që ti ta duash apo të interesohesh për të sepse ne i larguam ata që ti jeton së bashku me ta, e tashmë ne do të kujdesemi për ta ngritur futbollin e Kosovës së bashku me njerëzit e futbollit dhe të gjithë adhuruesit e futbollit kosovar”, shkruan Batatina.