Përparim Daiu, ish-futbollist i Partizanit, Besës dhe i kombëtares kuqezi, trajner në disa skuadra futbolli të vendit tonë, ka reaguar për argimin e Thomas Brdaric nga stoli i Vllaznisë. Në fakt, nga klubi kuqeblu nuk ka endë një qëndrim zyrtar, pavarësisht se mediat kanë shkruar për “divorcin” mes palëve qysh mbrëmë, pas disfatës me Bylisin. Ja çfarë shkruan Daiu në Facebook:
“Faleminderit që bëre një futboll, të cilin e pëlqyen të gjithë! Faleminderit që bëre Shkodrën dhe të gjithë ata që pëlqejnë futbollin e bukur të duartrokisnin Vllazninë!
Faleminderit për gjithçka tregove në menaxhimin e një skuadre që pakush në fillim besonte tek ajo. Vllaznia që ditën që ti e drejtove ishte në krye dhe kjo ecuri do të bënte xhelozë shumë dashakeqës. Eh, sa larg jemi me respektin dhe mirënjohjen!
Vallë kaq thjesht mund ta hiqte Liverpool strategun e vet, Jurgen Klop?! Këtu qëndron ndryshimi. Respekt mister Brdaric, meritoje shumë më tepër; meritoje ta mbyllje këtë kampionat me Vllazninë, për të pasur më shumë kohë të argëtoje shkodranët e shumë shqiptarë, që pëlqejnë futbollin e bukur ofensiv, si kur humb, edhe fiton. Ju fituat respektin”.