Llapi ka shënuar fitore të thellë ndaj Besës në Brestovik, në kuadër të javës së 25-të kampionale në Superligë.
Trajneri i “bardhekaltërve”, Tahir Batatina ka thënë se takimi i radhës kundër Trepçës ’89 është ndeshja e sezonit.
Gjithashtu, Batatina e ka përgëzuar Besën dhe ka vlerësuar skuadrën.
“Dua ta përgëzoj Besën për mbarëvajtjen e kampionatin, duhet vlerësuar edhe pse me të rinj. Ka djem cilësorë, që unë i vlerësoj shumë lartë.
Është skuadër solide edhe pse e re. E kemi ditur Besa është pa motiv, por ne i jemi qasur lojës në mënyrën më të mirë të mundshme.
Janë shumë pikë të rëndësishme, mirëpo kundër Trepçës ’89 është ndeshja e sezonit. E përfunduam ndeshjen ndaj Besës pa lëndime dhe synojmë të përgatitemi sa më mirë për duelin tjetër”, deklaroi Batatina pas ndeshjes për “ArtSport”.
Llapi ndodhet në vendin e shtatë me 30 pikë, kurse Besa është e fundit me vetëm shtatë të tilla.