Endri Çekiçi në vetëm pak kohë është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Ankaragucu në Superligën turke.
Mesfushori shqiptar i cili aktiviziohet rregullisht nga trajneri Karaman ishte protagonist edhe në sfidën e kësaj të diele mes Ankaragucu dhe Goztepe, duke spikatur me një paraqitje të shkëlqyer.
Çekiçi realizoi golin e dytë sezonal duke udhëhequr skuadrën kryeqytetase drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë me Ankaragucu që fitoi 3-0, ndaj një rivali të fortë duke regjistruar suksesin e 3-të rresht fitore që i ngjiti në kuotën e 29 pikëve në vendin e 17-të, pozicioni i fundit që të siguron qëndrimin në elitën e futbollit turk.
Çekiçi i cili e nisi sfidën si titullar dhe u zëvendësua në minutën e 83-të nga trajneri Karaman, shënoi golin e 3-të të ndeshjes në minutën 63-të me një goditje të bukur tokazi nga limitet zonës, gol që vulosi edhe fitoren e Ankaragucu. Idriz Voca, mesfushori i përfaqësueses së Kosovës që luan me Ankaragucu e ndoqi të gjithë ndeshjen nga stoli.
Përsa i përket Endri Çekiçit, mesfushori pogradecar vazhdon t’i japë sinjale të mira trajnerit Edy Reja i cili me shumë gjasa do ta grumbullojë për sfidat kualifikuese të Katar 2022 që kuqezinjtë do të zhvillojnë në fund të këtij muaji.