Laçi-Partizani dhe Teuta-Kukësi premtojnë shkëndija!

Futboll

Laçi-Partizani dhe Teuta-Kukësi premtojnë shkëndija!

Më: 17 mars 2021 Në ora: 12:08
Laçi-Partizani dhe Teuta-Kukësi premtojnë shkëndija!

Kategoria Superiore i ka lënë vendin Kupës së Shqipërisë këtë mesjavë që vjen me disa duele interesante. Luhen sfidat çerekfinale këtë dhe intriguese i bën fakti që edhe kjo fazë zhvillohet me ndeshje teke.

Dy prej 4 sfidave të sotme janë vërtetë të nxehta dhe nuk kanë skuadra favorite. Në orën 13:00 në Laç, kurbinasit e Shpëtim Duros të cilët në fundjavë morën për herë të parë në këtë sezon kreun e Kategorisë Superiore, do të presin Partizanin. Si Laçi edhe Partizani janë në garë për titullin në këtë sezon, por asnjëra nuk e nënvlerëson as Kupën e cila ka rëndësinë e saj.

Dy trajnerët Duro dhe Daja do të bëjnë disa ndryshime në formacione duke u dhënë mundësi aktivizimi edhe disa prej futbollistëve që janë aktivizuar më pak në këtë sezon por gjithsesi pritet një ndeshje e bukur dhe e luftuar që pritet t’i përmbushë të gjitha pritshmëritë.

Laçi ka paguar gjobën prej 5 miljonë lekësh të vjetra për të shlyer gjysmën e dënimit dhe sot do të ketë në fushë kryegolashënuesin e sezonit të kaluar në Superiore, Kyrian Nwabueze.

Në orën 16:00 në Niko Dovana Teuta pret Kukësin me verilindorët që shohin te Kupa e Shqipërisë mundësinë e vetme për të kapur Europën, por edhe durrsakët edhe pse kanë objektiv kryesor kampionatin do të kërkojnë të mbrojnë trofeun edhe në Kupën e Shqipërisë.

Po në orën 16:00 Vllaznia do të kërkojë t’i japë një goditje krizës me një fitore ndaj Korabit që do ta kualifikonte në gjysmëfinalet e Kupës ndërsa një takim me shumë të panjohura konsiderohet ai mes Dinamos dhe Skënderbeut që do të luhet në orën 13:00. Të 4-ta ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të keni mundësi t’i ndiqni live në ekranin e Supersport.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat